Lokale - eSIMy

Ka nisur seanca e rastit “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, tre të akuzuarit për rastin Banjska që janë në masë të paraburgimit, u sollën në seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën masa të rrepta sigurie.

Në seancë paradite do të dëgjohet polici Alban Rashiti, i cili ishte plagosur gjatë rastit, ndërsa pasdite polici tjetër Çlirim Shaqiri.

Ndryshe në seancën e fundit tre nga të akuzuarit nga sulmi terrorist i 24 shtatorit të 2023-s, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, të tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe nuk e kishin pranuar fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen.

Përveç tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar nga drejtësia kosovare, 42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radojiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.

Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ata janë në kërkim të INTERPOLIT e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.