Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e së dielës në qytetin e Gjakovës, ku një burrë ka humbur jetën papritur derisa ndodhej në vendin e tij të punës.
Sinjali mëson se viktima është Bekim Kastrati, 70-vjeçar nga Gjakova, i cili është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e qytetit rreth orës 08:45 të mëngjesit.
Sipas burimeve të Sinjalit brenda Prokurorisë, kolegët e viktimës kanë deklaruar se atij i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore papritur. Menjëherë ishte thirrur urgjenca mjekësore, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe e ka transportuar atë për në spital.
Por gjatë rrugës për në Emergjencë, siç dyshohet nga mjekët, ai ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë krimteknikën dhe hetuesit rajonalë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit për krime të rënda, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, në mënyrë që të sqarohet shkaku i saktë i vdekjes.
Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe hetimet kanë nisur.