Screenshot

Disa orë para aksidentit fatal në Pavlan të Pejës, Armir Osmani është përfshirë në një aksident me të njëjtën veturë, Audi Q8, dhe në një rrahje në Prishtinë. Pas këtij incidenti, është nisur për Pejë. I është vënë pas një patrullë policore. Paparaci, ka siguruar pamje të tij në veturë disa momente para ngjarjes tragjike.

Një veturë Audi mori flakë mesnatën e të shtunës në fshatin Pavlan të Pejës pas përfshirjes në një vetaksident.

Skenat pas aksidentit ishin tmerruese. Vetura, një Audi Q8 me ngjyrë të zezë, mori flakë së bashku me shoferin që ishte në veturë.

Shoferi i automjetit është identifikuar si Armir Osmani, 25-vjeç, djali i biznesmenit kontravers nga Mitrovica, Ismet Osmani, raportoi Paparaci të dielën.

Rrethanat e plota janë ende të paqarta.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, makina po qarkullonte me shpejtësi të madhe nga fshati Pavlan në drejtim të Pejës kur shoferi e humbi kontrollin dhe u rrokullis duke përfunduar në një fushë. Në fund, vetura Audi Q8 me targa kosovare shpërtheu në flakë.

Ndihma erdhi shumë vonë për të ngujuarin në veturë.

“Në vendin e ngjarjës kanë dalë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrëfiksëve dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha të dielën zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Paparaci ka zbuluar se disa orë para vetaksidentit me fatalitet në fshatin Pavlan të Pejës, Armir Osmani është përfshirë në një aksident me të njëjtën veturë, Audi Q8, dhe në një rrahje në Prishtinë. Pas përfshirjes në këtë incident, atij i është vënë pas një patrullë policore. Disa video të cilat i ka siguruar Paparaci, shfaqin Osmanin duke shtënë me armë zjarri dhe duke e sharë policinë.

Incidenti ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:00 në lagjen ‘Dardania’ në kryeqytet.

Burime pranë ngjarjes i kanë thënë Paparacit se Armir Osmani ka hyrë në semafor të kuq në një kryqëzim në lagjen ‘Dardania’ dhe e ka goditur një veturë tjetër.

Të dyja veturat e aksidentuara janë ndalur.

I dëmtuari ka insistuar që ta lajmërojë policinë, por Osmani, i njohur për probleme me drejtësinë, i ka ofruar atij mjete financiare për dëmet e shkaktuara dhe i është lutur që të mos e thërrasë policinë, ka mësuar Paparaci.

Pasi i dëmtuari e ka refuzuar ofertën, Osmani e ka sulmuar fizikisht viktimën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Një dëshmitar okular i ka thënë Paparacit se pas largimit të Osmanit nga vendi i incidentit, i dëmtuari e ka lajmëruar policinë, e cila, me të pranuar informatën i ka alarmuar të gjitha pikat për ndalimin e automjetit cilin e drejtonte Osmani kudo që haset ai.

Armir Osmani është nisur për në Pejë. Në afërsi të këtij qyteti, ai ka hasur në një patrullë policore e cila ka provuar ta ndalojë por 25-vjeçari nuk i është bindur sinjalizimit të patrullës, ka mësuar Paparaci.

Kjo patrullë poliucore është vënë në ndjekje veturës Audi Q8 të cilën e drejtonte Osmani.