Në mëngjeset e mjegullta të Llapashticës, ku retë e luftës rëndonin mbi kodrat e lirisë, një burrë me shtatin e drejtë dhe zemrën sa një mal u shfaq si një flamur i heshtur i qëndresës. Avdullah Cakiqi – Duli, ishte jo vetëm një luftëtar, por një fjalor i përvojës, një shtyllë e maturisë në mesin e djemve që sapo kishin kaluar të njëzetat, por kishte luftëtar që ende nuk i kishin mbushur të njëzetat.
Në njësinë tonë të UÇK-së, Duli u bashkua me qetësinë e një burri që kishte parë shumë, por nuk fliste kot. Bashkë me Muhamet Cakiqin, ata ishin dy shtylla të pjekurisë në mesin tonë, ku shumica prej nesh ende mbanim gjurmët e adoleshencës në fjalë, por zjarrin e lirisë në zemër.
Në bazë, ai nuk ishte vetëm luftëtar. Ai ishte mësues, këshilltar, dhe kujdestar i sigurisë sonë. Çdo mëngjes, kur ktheheshim nga ndonjë pozicion apo alarm, Duli na priste si një vëlla i madh:
– Arma është jetë e vdekje, – na thoshte me zërin e tij të qetë por të prerë. – Nuk është lodër. Ajo s’të fal nëse ti e nënvlerëson.
Ai i fuste duart vetë mbi armët tona, na tregonte si pastroheshin, si ruhej siguria. Kishte shërbyer dikur në ushtrinë famëkeqe jugosllave, por përkundër atij shërbimi, ai sot ishte në anën tjetër – në anën e dritës.
Në betejën e 24 dhjetorit 1998, në lagjen e Sllatinve dhe të Duriqve, ishim vendosur nën zjarrin e tankeve dhe mitralozëve. Frika ishte si një mjegull që përpiqej të na zbriste në gjunjë, por Duli qëndronte drejt, me pushkën në dorë dhe sytë ngulur në horizont.
– Mos e ulni kokën, – thoshte ai. – Kur je përballë armikut, qëndrimi është arma jote e parë.
Zëri i tij na shkundte. Ai jo vetëm që fliste – ai qëndronte, i palëkundur, mes flakëve dhe britmave të luftës, si një trung i rrënjosur thellë në tokën e lirisë.
Sot, ky burrë jeton në Llapashticën e lirë. Lufta ia fali lirinë, por i mori shëndetin. Sëmundja që mbart në trupin e tij është si një plagë e heshtur, por krenaria që ndrit në sytë e tij është një flamur që s’ka nevojë të valojë për t’u ndier.
Duli nuk flet shumë për veten. Por ne e dimë: në çdo hap tonin të lirë, ka një gjurmë të tij.
Sadat Cakiqi
#tëpathyeshëmit






