Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka rrëfyer për periudhën studentore, kur banonin bashkë në Prishtinë dhe e kishte shok të dhomës.

“Rrustem Mustafën e kam pasur cimer. Mi prishte nervat. Ishte i jashtëzakonshëm në kuptimin e provokimeve pozitive që i bënte”, nis tregimin e tij Arben Fetoshi për njoftimin me komandant “Remin”, i cili në kohën kur Fetoshi e kishte njoftuar, atë e quanin Rrustë.

Në emisionin “Oxygen” në Klan Kosova, Fetoshi tha se njohja me Remin ka ardhur që nga koha kur kishte rënë Edmond Hoxha me shokë, pra në janarin e vitit 1997.

“Vjen në fakultet, më kërkon, së bashku me Bedri Bajramin, Dëshmor i Kombit, dhe kërkojnë që të pimë kafe, të njihemi. Ishte prilli i vitit 1997, dhe pas një kohe dakordohemi, dhe tema e vetme që na bashkon është protesta e 1 tetorit, 1997. Ideja ishte të organizohet sa më mirë, të jetë sa më masive, të mos lejohet që të infiltrohen eventualisht ata që mund të keqorientonin qëllimin e kësaj proteste. Dhe pas njohjes, nuk shkon shumë dhe vendosim të bëhemi cimerë. Kam banuar për disa muaj me të, në funksion të organizimit të 1 tetorit”, tregon Fetoshi.

Më tej, ai tregon se si e kishte provokuar Rrusta në atë kohë, duke mos i treguar se është pjesëtar i UÇK-së.

“Përveç organizimit, biseda bënim edhe për aktualitetin e asaj kohe, Serbinë, pushtimin, se si duhet t’i përgjigjemi, ku është UÇK-ja, a është UÇK-ja… Unë e kisha shumë të qartë (ekzistimin e saj) për shkak të rënies së tre të parëve (Edmond Hoxhës, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut) në fund janarin e vitit 1997. Por, ishte periudha kur flitej në popull se a ekziston apo jo UÇK-ja, a është serioze apo jo, dhe në këtë funksion, provokimet e Remit ishin interesante sepse ndonjëherë më ngjallnin dyshim”.

“Më thoshte, për shembull, ‘Ben, ti e din, jam i bindur që ti e njeh UÇK-në, dhe po dua të më çosh të bëhem ushtar i UÇK-së’. Në këtë far stili komunikonte. Dhe në fund, pas një periudhe të gjatë, ma ka pohuar, ndoshta biseda ka zgjat me orë të tëra. Dhe ka qenë kujtoj ora 2 e natës, kur në fund çohet në këmbë dhe kërkon të më përqafojë, dhe thotë, ‘dua të të them diçka dhe kërkoj të ma bësh hallall’. U çua, insistoi dhe më tha, ‘ma bëj hallall se të kam lodh, por po dua të të tregoj, sepse tashmë jam i sigurt në ty, që unë jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’”, rrëfen Fetoshi kohën kur u njoftua me Remin.

Ai thotë se reagimi i tij ndaj kësaj deklarate ishte i dyfishtë, ndonëse thotë se ia ka kthyer përqafimin.