Grupi i parë i besimtarëve nga Kosova është nisur sot nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” drejt Mekës për kryerjen e haxhit. Në këtë grup përfshihen 297 haxhilerë nga Prishtina dhe Fushë Kosova, të cilët u nisën rreth orës 08:00 të mëngjesit.

Haxhiu më i ri i këtij viti është një 15-vjeçar nga Prishtina, ndërsa më e moshuara një 84-vjeçare po ashtu nga Prishtina.

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, përgatitjet po ecin sipas planit dhe gjithçka është duke u zhvilluar mbarë. Këtë vit, gjithsej 1,576 besimtarë nga Kosova pritet të udhëtojnë për ta kryer haxhin.