Mbrëmë u raportua për një sulm fizik ndaj një gjinekologu, në Prishtinë.
Afrim Veliu u sulmua mbrëmë në lagjen “Ulpiana” të kryeqytetit, duke pësuar lëndime trupore.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, që për IndeksOnlinen deklaroi se Veliu u sulmua teksa po futej në veturë.
Incidenti ndodhi rreth orës 21:30, teksa sulmi u realizua me mjet të fortë metalik nga një person i panjohur.
“Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur”, deklaroi Borovci.
Ai shton se njësitet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Njësitet e angazhuara kanë ndërmarrë veprime operative për të identifikuar dhe kapur të dyshuarin.
Për rastin e iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, prokurori i shtetit ka urdhëruar hetim të plotë.