Në polici është raportuar një rast i dhunës në familje, ku viktimë ka qenë një fëmijë 14-vjeçar, i cili është sulmuar fizikisht nga babai i tij në qendër të Suharekës.
Ngjarja ka ndodhur më 16 maj 2025, rreth orës 18:00, në rrugën “Brigada 123”, ku Policia është njoftuar për një lëndim trupor, i cili rezultoi të jetë rast i dhunës familjare.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari Jeton Shehu, rreth 42-vjeçar ka goditur me shuplakë djalin e tij të mitur, rreth 14 vjeçar, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Emergjencën e QKMF-së Suharekë dhe është liruar për kurim shtëpiak.
Në prani të Qendrës për Punë Sociale, djali është intervistuar nga Njësia e Hetuesisë për Dhunë në Familje, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Burimet theksojnë se i dyshuari është përsëritës i veprës penale të dhunës në familje, çka mund të ndikojë në trajtimin më të rënduar të rastit.






