Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor në Gjilan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.
Sipas njoftimit të IPK-së, incidenti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 10 majit 2025.
Pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës lidhur me ngjarjen, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë vizituar vendin e ngjarjes.
Viktima e dhunës është dërguar për tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Pas veprimeve fillestare hetimore, është konsultuar edhe prokurori kompetent, i cili ka vendosur që të caktojë masën e ndalimit për 48 orë ndaj zyrtarit policor.
“Si pjesë e procedurës hetimore dhe administrative, zyrtari është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së. Hetuesit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, do të vazhdojnë hetimet për ndriçimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes dhe për marrjen e masave të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Sipas Sinjalit, i arrestuari është Leutrim Tahirin, pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Tahiri dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten në banesën e tyre, duke i shkaktuar fraktura në hundë, teksa në atë moment të pranishëm kanë qenë edhe dy fëmijët e mitur të çiftit. Gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes e kanë forcuar dyshimin për aktin e dhunës.