Një grua nga Wisconsin e zhdukur për më shumë se 60 vjet është gjetur “e gjallë dhe mirë”, sipas autoriteteve në SHBA.
Në një deklaratë për shtyp, Policia tha se 82-vjeçarja Audrey Backeberg, e cila fillimisht u zhduk në korrik 1962 në moshën 20 vjeç, ishte gjetur duke jetuar jashtë shtetit. Nuk u bë e ditur se në cilin shtet u gjet ajo.
“Hetimi i mëtejshëm ka zbuluar se zhdukja e zonjës Backeberg ishte me zgjedhjen e saj dhe jo rezultat i ndonjë aktiviteti kriminal apo lojë të keqe,” tha Policia.
Sipas departamentit të drejtësisë në Wisconsin, Backeberg u largua nga shtëpia e saj më 7 korrik 1962.
Kujdestarja e Backeberg pretendoi se ajo dhe Backeberg shkuan në Madison, ëisconsin dhe më pas morën një autobus Greyhound për në Indianapolis, Indiana. Kujdestarja e pa për herë të fundit Backeberg – një nënë e dy fëmijëve – duke ecur pranë stacionit të autobusit.
Projekti Charley, i cili profilizon personat e zhdukur, tha në një postim të përditësuar se Backeberg u martua me burrin e saj, Ronald Backeberg, kur ajo ishte “rreth pesëmbëdhjetë vjeç” dhe se “martesa e tyre ishte e trazuar dhe kishte akuza për abuzim”
Rreth kohës së zhdukjes së saj, Backeberg kishte paraqitur një kallëzim penal kundër burrit të saj, duke pretenduar se ai e kishte rrahur dhe kërcënuar se do ta vriste, raporton BBC.