Lokale - eSIMy

Shkruan Floretë Zejnullahu;

Kur forcat serbe filluan të sulmojnë fshatin tim Lladoc, ku ishin strehuar qindra e qindra qytetarë nga i gjithë Llapi, u nisëm të gjithë bashkë në drejtim të fshatrave të Gollakut e deri në Prishtinë, ku shpresonim të ishim më të sigurtë. Gra, fëmijë e pleq.

Si një fëmijë 5 vjeç e gjysmë, kujtoj pak momente nga koha që kaluam në shtëpitë e familjeve bujare në Turuçicë, Ballaban, Koliq, Grashticë. Çdo sofër e shtruar me bukë, çdo mikpritje me zemër, u mbante shpresën gjallë të gjithëve.

Kur arritëm në Prishtinë, u strehuam në shtëpinë e vjehrrit të hallës sime, te Baca Kadri në Kodër të Trimave. Ishim së bashku me gjyshin, nënën dhe vëllaun tim. Në atë shtëpi të madhe, tre katëshe, ishin edhe dhjetëra të afërm të tjerë. Nuk kaluan shumë ditë dhe shumica e të afërmeve u larguan, por ne vendosëm të qëndronim edhe disa ditë, ishte ky një rrezik i madh në atë kohë. Kujtimet nga ajo shtëpi mbetën të paharrueshme.

Ditët i kalonim të mbyllur brenda, nuk mund të dilnim as në oborr të shtëpisë, ndërsa netët ishin shumë të frikshme për mua dhe vëllaun tim si fëmijë. Me një qiri të ndezur dhe dritaret e mbuluara me batanije të zeza, mbijetonim frikën duke dëgjuar tregimet e gjyshit, i cili na mbante të sigurt në krahët e tij.

Një natë në fillim qershori, dikur pas mesnate, daja im Ajeti erdhi në shtëpi bashkë me gruan e tij Valdeten, e cila ishte shtatzënë dhe në prag të lindjes, gjendja e saj nuk ishte e mirë. Shqetësimi i të gjithë të rriturve atë natë ishte se si të gjenin një mjek për Valdeten, që të shpëtonin atë dhe foshnjën.

E kujtoj momentin kur gjyshi dhe daja shkuan natën për të gjetur Dr. Murat Abazin, i cili erdhi me ta, duke kaluar nëpër oborret e shtëpive për të shmangur ushtrinë dhe policinë serbe. Lindja ishte e vështirë dhe me komplikime dhe për një moment menduan se Valdetja nuk do të mbijetonte.

Atë natë, duke dëgjuar zhurmën në gjumë, dola në koridor. Gjyshi më tha “Hyn në dhomë menjëherë edhe flej!”. Kur u ktheva në dhomë, së bashku me vëllaun përmes vrimës së çelësit pamë një trup të shtrirë dhe të mbuluar me batanije. Frika dhe trishtimi i asaj pamje na ndjekin edhe sot në kujtimet tona.

Pas shumë përpjekjeve të doktorit, fatmirësisht Valdetja shpëtoi bashkë me foshnjën, të cilit vendosën t’i vënë emrin ÇLIRIM.

Çlirimi ishte gëzimi në ato ditë të errëta, ai ishte drita në mes të errësirës dhe lajmëtari i çlirimit të vërtetë të Kosovës.

Sot, Çlirimi mbush 25 vjet. Gëzuar ditëlindjen, Çlirim! Jetofsh i lumtur në Kosovën e lirë!