Lokale - eSIMy

Për shkak të shiut, shumë rrugë të Podujevës janë mbuluar nga uji sot. Lidhur me këtë situatë ka reaguar ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni.

Sipas tij, “milionat e shumtë të arsyetuar në emër të investimeve në infrastrukturë, janë vetëm gënjeshtra e radhës e mashtrimi i madh i kësaj keqqeverisjeje”.

“Pamjet e sotme të qytetit të Podujevës, ku pothuaj secila rrugë ishte e mbuluar nga uji nxjerr në pah mashtrimin tuaj, nxjerrë në pah “investimin” tuaj, sikur që nxjerr në pah keqqeverisjen tuaj përballë secilit qytetarë”, shkruan ai tutje.

Hyseni thotë se “qytetarët e Llapit do të çlirohen nga njerëz të padijshëm, abuzues”.

Postimi i tij i plotë:

Milionat e “investuar” për pamjet e shëmtuara të qytetit të Podujevës

Reshjet e shiut gjatë ditës së sotme nxorën në pah realitetin e invesimteve në infrastrukturë nga qeverisja komunale në Podujevë.

Milionat e shumtë të arsyetuar në emër të investimeve në infrastrukturë, janë vetëm gënjeshtra e radhës e mashtrimi i madh i kësaj keqqeverisjeje.

Pamjet e sotme të qytetit të Podujevës, ku pothuaj secila rrugë ishte e mbuluar nga uji nxjerr në pah mashtrimin tuaj, nxjerrë në pah “investimin” tuaj, sikur që nxjerr në pah keqqeverisjen tuaj përballë secilit qytetarë.

Nëse ju keni investuar që sot të kemi këtë pamje të trishtë, e që qytetarëve t’ju pamundësohet qarkullimi normal, atëherë këtë edhe e keni arritur.

Fatkeqësisht, këto pamje nuk janë vetëm të disa rrugëve kryesore të qytetit, por pamje të tilla vijnë edhe nga oborri i QMF-së në Podujevë.

Podujevën e mori uji me qeverisjen e papërgjegjshme tuajën, por ky ujë shpejt do ta marrë edhe keqqeverisjen tuaj.

Sepse, vetëm fundi i kësaj keqqeverisjeje është shpresë për qytetarët e Llapit, të cilët nuk e meritojnë këtë gjë!

Prandaj, ju siguroj se shpejt qytetarët e Llapit do të çlirohen nga njerëz të padijshëm, abuzues e përfitues siç jeni ju!