Lokale - eSIMy

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një grua nga Podujeva, e cila ua ka dhënë mijëra euro disa personave.

Ky rast u raportua nga vet viktima, një 55-vjeçare, e cila pretendon se para disa vitesh u mashtrua dhe u detyrua që të paguajë një shumë të majme parash.

Në bazë të dëshmisë së saj, burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se personat e dyshuar, që akoma s’janë identifikuar, e kanë vënë në lajthitje në vitin 2019.

Sipas informacioneve të para, ta dyshuarit më pas e kanë detyruar 55-vjeçaren që t’i paguajë mbi 95 mijë euro, duke e kërcënuar seriozisht.

Kanosjet se do ta pësojë me jetë ajo dhe fëmijët e saj, e shtynë atë që t’i jap paratë, ndërsa të dyshuarit nuk u bënë më të gjallë.

Përballë kësaj situate, viktima vendosi që të kërkojë ndihmën e Policisë.

Pas dhënies së deklaratës së saj dhe mbledhjes së informacioneve, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprave penale “Mashtrimi” dhe “Detyrimi”.