Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.
Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Podujevë, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Remzi Demolli’ ka ndalur për kontroll një veturë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjatë kontrollit, te pasagjeri kanë gjetur një armë zjarri me fishekë si dhe një mjet të mprehtë.
Armët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërkohë i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“