Lokale - eSIMy

Llapi.info ka raportuar mbrëmë për mënyrën se si ishte raportuar nga Policia e Kosovës rasti i vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë, raporton tutje Llapi.info.

Policia, në raportin e saj të datës 15 janar, kishte thënë se viktima ishte therur me thikë. Por, që nga momenti kur portali Llapi.info, pati cituar këtë raport, në adresë të faqes kanë ardhur mesazhe të shumta nga ana e familjarëve dhe miqve të të ndjerit për raportim jo të saktë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”- thuhej në raportin policor të 15 janarit 2024.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka nisur hetimin për të zbardhur rastin e trajtimit të rastit të të riut Lulzim Fejzullahu nga Podujeva. Kështu thuhet në përgjigjen e IPK-së për Llapi.info.

:Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, ka thënë IPK.

Nga një video-incizim që është publikuar në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar, e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta – duke i shkaktuar tashmë plagë vdekjeprurëse.

 

 

 

/llapi.info/