Në nëntor të vitit të kaluar, në fshatin Batllavë të Podujevës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e çerdhes së re, shkruan Llapi.info.
Në këtë event mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila hodhi një lopatë beton, së bashku me të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Por, në këtë vend të punimeve ishin vetëm ato dy lopata beton që u hodhën nga Nagavci e Bulliqi. Për disa muaj, kompania e kontraktuar nuk zhvilloi asnjë punim tjetër. Madje, vendi ku është paraparë për ndërtimin e çerdhes u mbulua nga bërlloku.
Për këtë hodhën kritika të shumta partia opozitare në këtë komunë, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Siç mëson portali Llapi.info, punimet për këtë çerdhe do të nisin së shpejti. Kjo, pasi operatorit ekonomik për zhvillimin e punimeve iu shfaqen disa probleme.
Kostoja e këtij investimi kapital është 450 mijë euro dhe pritet të përfundojë brenda dy vitesh.
Ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci, gjatë vendosjes së gurthemelit, pati deklaruar se me ndërtimin e çerdheve po rritet përfshirja fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Jemi këtu për vënien e gurthemelit të çerdhes e cila pritet të përfundojë brenda dy viteve dhe e cila do të ketë hapësirë për 60 fëmijë. Me vendosjen e gurthemelit të kësaj çerdhe, po rrisim edhe më shumë përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm dhe uroj që punët të shkojnë mbarë dhe të jemi në inaugurimin e kësaj çerdhe”.
E kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi pati thënë se çerdhja do të ketë 720 metra katror dhe do të përfundojë për dy vjet.
“Është një çerdhe që kap sipërfaqe prej 720 metra katror me të gjitha hapësirat e nevojshme. Vlera e projektit është 450 mijë euro dhe shpresojmë që brenda dy viteve fëmijët e këtij lokaliteti ta kenë në dispozicion”./Llapi.info






