Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Hisen Berishës, lidhur me punimet infrastrukturore gjatë natës.
Durmishi ka thënë se edhe mbrëmë është punuar në mesnatë, ndryshe nga çka ka thënë Berisha.
“Sa për informimin e të gjithëve edhe mbrëmë është punuar deri në mesnatë. Në llot 0, është punuar deri në ora 24:00, Në llot 1, është punuar deri në ora 24:00, Në llot 2, është punuar deri në ora 23:30, Në llot 3 është punuar deri në ora 21:00”.
Ai ka arsyetur se nuk mund të punohet natën ku ka vendbanime.
“Do të punojmë natën sa herë që ka nevojë dhe në ato pozicione ku mund të punohet. Natyrisht që nuk mund të punojmë pas mesnatës në vendbanime, afër shtëpive, sepse zhurma e eskavatorëve e dridhjet e rugëve janë pengesë për qytetarët në ato orë të vona”.
Derisa, ka falënderuar Berishën se e ka promovuar punën e bërë nga Ministria.
“Është e vërtetë z. Berisha se ‘Rrena i ka këmbët e shkurta’. Paskeni pritur deri sa janë ndalur eskavatorët sa për t’i bërë disa foto. Më pastaj në komente i paske publikuar disa video që janë reklamë e mirë për ne sepse ato tregojnë sinjalistikën në nivel e sigurinë maksimale në punishte, kështu që faleminderit për ato video të postuara. Dil më shpesh të lutem!”