Komuna e Podujevës, vitin e kaluar, pati marrë vendim për ndalimin e ngasjes së biçikletave dhe trotinetëve elektrikë në sheshin e qytetit, njofton Llapi.info.
Mirëpo, kjo nuk është duke u respektuar nga ana e qytetarëve. Për këtë, komuna e Podujevës ka thënë se Inspektorati do t’i shtojë kontrollet, duke shqiptuar edhe gjoba.
“Vendimi i mëhershëm për ndalimin e ngasjes së motoçikletave, biçikletave, trotinetëve elektrik dhe mjeteve tjera të ngjashme brenda hapësirës së Sheshit/Bulevardit të qytetit, nuk po respektohet nga ana e disa qytetarëve. Andaj bazuar mbi këtë në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, Drejtoria e Inspeksionit do t’i shtojë kontrollet dhe do të jetë rigoroze në zbatimin e këtij vendimi, duke gjobitur të gjithë shkelësit e saj. Ky vendim është marrë me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme të rrezikimit apo lëndimit të qytetarëve, si dhe evitimit të ndonjë dëmi eventual, andaj si i tillë duhet të respektohet domosdoshmërisht”, thuhet në njoftimin e komunës.
/llapi.info/