Lokale - eSIMy

Kanë nisur punimet për ndërtimin e çerdhes publike në qytet dhe ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Dumosh të Podujevës, shkruan Llapi.info.

Në vënien e themelit për ndërtimin e këtyre objekteve arsimore mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi dhe zyrtarë të tjerë komunalë. Në vënien e themelit mori pjesë edhe nëna e heroit Ali Ajeti.

Në një prononcim për gazetarë, i pari i Qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se kjo shkollë do t’i ketë 8 klasë për mbi 100 nxënës.

“Kjo shkollë do t’i ketë 8 dhoma mësimi. Këta nxënës do ta kenë shkollën e re. Qeveria e Kosovës e mbështet Podujevën dhe komunat tjera të Kosovës. Arsimi është themeli i progresit ekonomik, por edhe i së ardhmes së ndritshme shtetërore dhe kombëtare. Brenda dy vitesh kemi shtuar buxhetin për arsim, kemi rritur numrin e bursave edhe për nxënësit e komunitete dhe studentë. Pra, arsimi është prioritet për neve. Përgëzoj komunën e Podujevës, e cila e ka po ashtu prioritet arsimin, për llapjanët e vegjël që do ta ndritin Llapin duke mësuar këtu, e duke punuar për këtu”, ka thënë Kurti.

Edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka uruar banorët e fshatit Dumosh për nisjen e punimeve të shkollës së re.

Kurti e Bulliqi, po ashtu sot, vendosen gurthemelin e çerdhes së re publike tek Parku i Pishave në Podujevë

Me këtë rast, Bulliqi ka thënë se kjo është çerdhja e dytë publike që po ndërtohet në këtë periudhë kohore.

“Vlera e projektit është rreth 700 mijë euro. Është një prej çerdheve më të mëdha në Podujevë. Faleminderit Qeverisë që po na ndihmon”, ka thënë Bulliqi.