Lokale - eSIMy

Para pak minutash, te rruga C në Prishtinë një person është gjetur i vdekur dhe sipas informacioneve të para dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka humbur jetën

“Te rruga C ne kryeqytet, burimet thone se sapo ka ndodhur nje vrasje, dyshohet se nje person eshte privuar nga jeta me kallashnikov, ndersa pas aktit eshte djegur edhe vetura”, ka shkruar gazetari Venhar Isufi i cili ka publikuar edhe një foto.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar rasti ka ndodhur rreth orës 20:00, ku ka pasur gjuajtje me armë zjarri.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete. Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.