Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se tre qytetarë nga Podujeva janë arrestuar nga Policia e Serbisë, në pikën kufitare në Merdar, shkruan Llapi.info.
Sipas Bulliqit, atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe.
Postimi i Bulliqit:
Me shqetësim mora lajmin që tre qytetarë të Komunës së Podujevës janë arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar.
Sipas informatave që kemi pranuar atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit.
Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e tre bashkëqytetarëve tanë është e papranueshme dhe kërkoj nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht për rastin e tyre, duke punuar me instancat kompetente për lirimin e tyre.






