Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qëndruar për vizitë sot në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Ajo është pritur nga drejtoresha e Shëndetësisë, Adelinë Stublla dhe ajo e Administratës, Antoneta Ejupi. Së bashku, Haxhiu, Stublla dhe Ejupi kanë vizituar Qendrën për Punë Sociale.
“Gjatë këtij takimi është diskutuar për mbarëvajtjen e punës në QPS, sfidat, organizmin e shërbimeve sociale dhe bashkëpunimin institucional në ngritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen në këtë qendër. Në këtë rast, Drejtoresha Stublla dhe Ministrja Haxhiu u dakorduan për bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy institucioneve, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara nga QPS. Ndërkaq, Ministrja Haxhiu dhe Drejtoresha Stublla i përgëzuan stafin e QPS-së për punën e mirë që po e bëjnë në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët llapjanë, si dhe i siguruan ata për ngritjen dhe avancimin e kushteve të punës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Duhet theksuar se Qendra për Punë Sociale vazhdon të mos e ketë drejtorin e saj tash e një kohë gjatë.
Pak ditë më parë, konkursi për pozitën e drejtorit, është anuluar nga organet komunale.
“Anulimi i konkurseve bëhet për shkak të përfundimit të procedurave të konkurrimit pa kandidat fitues. Rishpallja e konkursit do të bëhet përmes portalit të konkurseve dhe do të publikohet në faqen e komunës”, thuhet në arsyetimin e publikuar në faqen komunale.
/llapi.info/






