Lokale - eSIMy

Në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, prej vitit 2020, Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Inspektoratit, është udhëhequr nga katër drejtorë, shkruan Llapi.info.

Së fundi, në krye të kësaj drejtorie ishte Florentina Osmani. Por, për këtë, sot ishte dita e fundit si drejtoreshë e këtij dikasteri.

Në një njoftim në Facebook, Komuna e Podujevës ka njoftuar Osmani ka kërkuar lirim nga detyra, kërkesë kjo e miratuar nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

“Me kërkesë të Drejtoreshës së Inspeksionit, Florentina Osmani, për t’u liruar nga detyra si drejtore e këtij dikasteri për shkak të angazhimeve të tjera profesionale, ajo sot është liruar nga kjo detyrë. Kryetari Bulliqi e ka falënderuar ish drejtoreshën Osmani për punën dhe kontributin e saj për periudhën që ka udhëhequr me këtë dikaster.  Ndërsa ish drejtoresha e ka falënderuar kryetarin Bulliqi për besimin, bashkëpunimin dhe ka shprehur gatishmërinë e plotë që të ndihmojë komunën në aspektin profesional çdo herë”, thuhet në njoftim.

Osmani erdhi në krye të Drejtorisë së Inspektoratit, pas shkarkimit që iu bë Besnik Mulliqi në gusht të vitit 2022. Ky i fundit pati reaguar ashpër për këtë vendim.

“Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, shkruante në atë kohë Mulliqi.

Por, të gjitha këto akuza i mohoi Komuna e Podujevës. Madje, zyrtarë komunalë akuzuan Mulliqin se pikërisht ai, siç thuhet në njoftim, degradoi akoma më shumë atë pjesë.

“Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës.  Njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022, dhe nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, siç po deklarohet para opinionit dhe mediave”, ishte reagimi i komunës.

Punët në krye të Drejtorisë së Inspektoratit s’i kanë pasur hiç mirë as edhe drejtorët paraprakë.

Lirim nga detyra nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit kishte kërkuar gjatë mandatit të parë të Bulliqit edhe Ajet Potera. Ky i fundit u lirua nga detyra në prill të vitit 2021.

Në një reagim në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës ishte bërë e ditur se Potera, siç citohej në reagim, ishte liruar për shkak të angazhimeve të tjera.

Në vend të tij ishte emëruar Bedri Maçastena, i cili e çoi deri në fund në krye të kësaj drejtorie – deri në zgjedhjet e fundit lokale.

Llapi.info pati mësuar se Bulliqi kishte pasur mospajtime edhe me Poterën dhe Maçastenën në kohën kur këta të dy ishin drejtorë.

Mbetet të shihet se kush do të jetë tani drejtor i ardhshëm i Inspektoratit në Podujevë./Llapi.info