Lokale - eSIMy

Prishtinë – Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, prokurorja Fitore Sadikaj ka bërë ndryshimin e një pjese në dispozitivin e parë dhe të dytë të aktakuzës, në gjykimin ku Albion Strelli po akuzohet për vrasje të rëndë të të ndjerit A.S, ndërsa Berat Strelli ngarkohet për shtytje në vrasje.

Prokurorja Sadikaj, këtë ndryshim e bëri gjatë elaborimit të fjalës së saj përfundimtare, të cilën e dorëzoi me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”

“Dispozitivi i aktakuzës e ka një ndryshim të vogël, ku në tre rreshtat e fundit dispozitivi duhet të jetë kështu “A.S është qëlluar dy herë, njëra predhë e ka goditur në pjesën e shpinës, kurse goditja vdekjeprurëse ishte nga pas, para në kokë gjegjësisht në tru, ku është gjetur edhe kjo predhë pra si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK”, tha prokurorja Sadikaj.

E njëjta tha që ndryshimi i njëjtë vlen edhe për dispozitivin e dytë të aktakuzës, edhe për bashkë të akuzuarin Berat dhe se me të njëjtin ndryshim do të vërtetohet dhe nuk do të mbeten dilema që në këtë rast, kishin të bënin me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Ky ndryshim vlen edhe për bashkë të akuzuarin e dytë, dispoztivin e shtytjes pra është i njëjti dy rreshtat e parafundit, nga ky ndryshim vërtetohet edhe një herë fuqishëm dhe nuk len kurrfarë dileme edhe nëse ka dyshuar ndonjëra palë që kemi të bëjmë me vrasje të rëndë”, tha tutje prokurorja Sadikaj.

Sipas saj, pjesa tjetër e dispozitivit dhe kualifikimi i veprës penale gjithashtu mbetet e njëjtë.

Prokurorja Sadikaj në fund tha se pas administrimit të provave të paraqitura, është vërtetuar qartë dhe bindshëm që të akuzuarit Strelli me dashje i kishin kryer veprat penale të cilat iu vihen në barrë. Ajo i propozoi gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Tutje, mbrojtësja e viktimave Liridona Binaku, tha se mbështesin në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores Sadikaj, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarit Strelli të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, edhe e dëmtuara Suzana Seferi, tha se mbështet fjalën përfundimtare të prokurores, duke i kërkuar gjykatës t’i dënojë dy të akuzuarit.

“Kërkoj prej gjykatës me i dënu këta dy për krimin që e kanë ba, se neve na ka dëmtu shumë”, tha e dëmtuara Seferi.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Albion Strelli, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi, fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi me shkrim, e cila ndër të tjera tha se i mbrojturi i saj ishte penduar dhe ndjente keqardhje për ngjarjen që kishte ndodhur, duke shtuar se dispozitivi i aktakuzës nuk kishte bazë ligjore.

Ndërsa, lidhur me përmirësimin e dispozitivit nga ana e prokurores Sadikaj, avokatja Gashi- Bytyqi tha se konsideronte që e njëjta nuk e kishte analizuar deklarimin e ekspertit mjeko-ligjor Naim Haliti, kur kishte thënë që vdekja e tani të ndjerit A.S kishte ardhur si pasojë e një predhe.

Ajo po ashtu tha se i akuzuari Albion nuk kishte pasur paramendim dhe as dashje që të kryente veprën penale për të cilën akuzohet, duke i propozuar gjykatës që ta marrë si rrethanë lehtësuese që i njëjti asnjëherë më herët nuk kishte rënë në kundërshtim me ligjin.

Avokatja Bytyqi- Gashi në fund tha se beson në gjykatë dhe në gjykim të drejtë, duke i propozuar të njëjtës që të bëjë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në veprën penale “Vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe t’i japë një dënim më të butë të akuzuarit Albion.

Edhe i akuzuari Albion Strelli tha se mbështet fjalën e avokates Gashi- Bytyqi, duke shtuar se kundërshton përshkrimin për dyshimin e prokurores Sadikaj, për shkak se sipas të njëjtit pretendimet e saj nuk ishin të vërteta.

I njëjti po ashtu tha se i kërkon falje të gjithë familjes së të ndjerit A.S dhe se gjithçka do të bënte veç të mos ndodhte kjo fatkeqësi që kishte ndodhur.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuari Berat Strelli, avokati Haxhi Millaku fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim, i cili gjatë elaborimit të saj i propozoi gjykatës që të akuzuarin Berat lirojë nga akuza pasi që sipas saj nuk është provuar që i njëjti kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Po ashtu, i njëjti i kërkoi gjykatës që të analizojë dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja.

“Kërkojmë të analizohen dëshmitë e dëshmitareve të propozuar nga mbrojtja që fare nuk i është dhanë rëndësi nga Prokuroria e Shtetit”, tha avokati Millaku.

Ndërsa, edhe i akuzuari Berat tha se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se kundërshton fjalën e prokurores, për shkak se sipas të njëjtit ai nuk e kishte bërë një vepër të tillë edhe se ai ishte viktimë e këtij rasti.

“Sepse nuk e kam bo një vepër të tillë, as nuk do e bëj nëse jetoj edhe 100 vjet, edhe menjëherë mas tani të ndjerit A.S jam viktima e dytë që në bazë të aktakuzës së prokurores dhe për këto kam qëndruar 13 muaj pa dy ditë në paraburgim”, tha i akuzuari Berat.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, kërkoi mendimin për caktimin e një seance, e cila ishte e paraparë me Kodin e ri të Procedurës Penale, me qëllim të çështjeve të rëndësishme të caktimit të dënimit, nëse të akuzuarit të shpallen fajtorë, por palët u deklaruan që nuk kishte nevojë.

Në fund, gjykatësi Foniqi e shpalli të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 6 prill 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli po akuzohet se më 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit A.S, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuan në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vendpunishte me veturën e tyre private.

Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit A., Albioni me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit A., duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A.S është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Albion Strelli, nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin Albion Strelli – vëllanë e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me të pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marrë armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri A. e ka thirrë në emër Albion, e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’, më pas Albioni e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.