Lokale - eSIMy

Me prezencën e kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesve nga Banka Botërore, kryesuesit të Kuvendit Komunal Hilmi Hoxha, drejtorë dhe asamblistë komunal, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera e banorë të fshatit Heritcë u përurua realizimi i projektit KODE, i cili ka bërë shtrirjen e rrjetit të internetit dhe telekomunikimit në vendin tonë, investim ky nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Kryeministri Kurti para të pranishmëve foli për investimet që po bëhen nga ana e Qeverisë së Kosovës në fushën e teknologjisë informative, si një fushë me shumë potencial për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa për realizimin e projektit KODE i falënderoi të gjithë akterët e përfshirë që kanë mundësuar realizimin me sukses të shtrirjes së internetit dhe telekomunikimit në vendin tonë, si dhe të pranishmit i njoftoi se nga ky projekt kanë përfituar 204 fshatra, shumë shkolla dhe ambulanta në vendin tonë.

Në këtë manifestim në fjalën para të pranishmëve kryetari Bulliqi tha “Shtrirja e internetit dhe telekomunikimit në secilin cep të Kosovës është një prej arritjeve më të rëndësishme të epokës së zhvillimit marramendës të teknologjisë informative. Nga ky projekt në Komunën e Podujevës kanë përfituar 13 fshatra me 2303 banorë, 5 shkolla dhe një ambulantë”.

Kryetari Bulliqi i falënderoi Qeverinë e Kosovës dhe përfaqësuesit nga Banka Botërore për këto investime që kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë dhe kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Fjalë rasti në këtë manifestim mbajtën edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësues nga Banka Botërore, kryeshefi i bordit të ARKEP-it, përfaqësuesi i rrjetit kabllor të Kosovës dhe kryetari i fshatit Herticë.

Pas fjalëve të mbajtura, ky manifestim u përmbyll me një koktej rasti që ishte përgatitur për të pranishmit.

/Llapi.info