Lokale - eSIMy

Ardit Hysa 22-vjeç dhe Kristi Hysa 19-vjeç, janë dy të plagosur në Burrel. Dy të rinjtë janë goditur me thikë dhe ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Njëri prej tyre është transportuar me helikopter, ndërsa tjetri me autoambulancë.

Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se ata janë goditur nga një tjetër i ri, i identifikuar si Geri Buci.

Ky i fundit, është djali i një biznesmeni të njohur në Burrel, pronari i një restoranti, afër qendrës.

Buci është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim.

“Rreth orës 14.50, në qytetin e Burrelit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, janë dëmtuar me mjet të mprehtë (thikë) shtetasit A.H dhe K.H., banues në Burrel, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësorë në spital. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë, dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e shtetasit G.B., i cili dyshohet se ka goditur me thikë dy vëllezërit”, njofton policia.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë një konflikt i çastit mes të rinjve dhe personave që kanë sulmuar me thikë. Deri tani është identifikuar vetëm njeri prej personave të dyshuar për të cilin policia është duke kërkuar për kapjen dhe arrestimin e tij.