A.Z., i cili u arrestua tri ditë në parë pas hetimeve disa mujore të Policisë në Prishtinë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’, është denoncuar edhe nga dy persona tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se A.Z., dyshohet se në muajin janar të vitit 2021 u ka shitur tri prona dy viktimave, të cilëve nuk ua barti pronësinë përmes dokumenteve.
Të njëjtëve, ai dyshohet se u ka marrë prona e asete si vetura e banesa në vlerë të mbi 1 milion euro.
A.Z., i cili tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit, dyshohet se parcelën e tokës dhe shtëpitë që i shiti, nuk ua barti përmes dokumenteve në pronësi dy blerësve.
Cili është rasti i parë për të cilin u arrestua?
50-vjeçari dyshohet se ia zhvati një qytetari prishtinas 132 mijë euro për blerjen e një prone.
Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” duke i prezantuar viktimës, një 32-vjeçari dokumente false që gjoja se lidheshin për blerjen e pronës për të cilën ishin marrë vesh vitin e kaluar.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur si rezultat i denoncimit të viktimës, i cili kërkoi ndihmën e Policisë pasi e kuptoi se është vënë në lajthitje nga i dyshuari.
I riu po dyshohet se ia ka dhënë të dyshuarit 132 mijë euro nga muaji prill i vitit të kaluar, të ndara në disa pjesë. Por meqë i dyshuari s’po bëhej i gjallë dhe premtimi i tij për dokumentacionin e pronës nuk po realizohej, ai e denoncoi rastin.
E disa muaj pas denoncimit, Zeqiri ka rënë në prangat e Policisë të hënën.