Lokale - eSIMy

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për planin franko-gjerman, e po ashtu për mundësinë e arritje të një marrëveshje përfundimtare.

“Bisedimet për atë propozim, që ne e mbështesim plotësisht, janë në fazë shumë të ndjeshme. Jemi në fazë shumë preliminare të diskutimit. Mendojmë se përbën fitore për të dyja shtetet dhe krijon mundësi për to që të diskutojnë zgjidhjen e kontesteve, mbrojtjen e komuniteteve pakicë, mbrojtjen e zonave fetare dhe atyre kulturore, dhe shumë gjëra që do t’iu ndihmojnë atyre që të thellohen në integrimet evropiane. Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit. Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë. Megjithatë, sekuenca e hapave dhe mënyra se si arrijmë deri aty është diçka që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Qëndrimi ynë është se shtetet e këtij rajoni – në mënyrë që gjithë rajoni të ecë përpara – duhet të kenë marrëdhënie të barabarta, të respektueshme dhe paqësore me njëra-tjetrën”.

Ai ka thënë se sigurisht njohja e ndërsjellë duhet të ndodhë.

Escobar ka thënë se shpreson që me urgjentë të nisin diskutimet për normalizim, e që deri në prill të nisin edhe diskutimet për formimin e Asociacionit.

“Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin. Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara”.

Për një marrëveshje finale Kosovë – Serbi ai nuk ka dashur të japë afat kohor, por ka thënë se “duhet arritur urgjentisht”.

Escobar po ashtu ka thënë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës janë të qëndrueshme e të forta.

“Më duhet të jem shumë i qartë në këtë gjë. Marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të qëndrueshme. Janë të forta. Këto marrëdhënie janë me njerëzit e Kosovës, jo me një person konkret apo me një palë. Ne jemi të hapur për partneritet me Qeverinë këtu. Kjo nuk nënkupton që nuk do të kemi dallime taktike. Njerëzit duhet ta presin këtë gjë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që SHBA-ja është duke braktisur mbështetjen e fuqishme për Kosovën”.

Ndërsa ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Serbia shumë herë janë kritikuar që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë dhe se shpreson se këto sanksione do të vendosen.