Ushtria bjelloruse të martën ngreu gatishmërinë luftarake të trupave në kufirin me Ukrainën, si pjesë e një inspektimi të paparalajmëruar të gatishmërisë luftarake të trupave që filloi sot, shkruan Reuters.
Sekretari i Sigurisë së Bjellorusisë, Aleksandar Volfovich, ka thënë se kjo detyrë rrjedh nga një analizë e asaj që Rusia e quan një “operacion ushtarak special”.
Ky veprim i ushtrisë bjelloruse, së bashku me stërvitjen ushtarake antiterroriste javën e kaluar, shkaktuan shqetësimin se Bjellorusia mund t’i bashkohet Rusisë në konfliktin në Ukrainë.
Minsku më parë njoftoi se nuk do të hynte në luftën në Ukrainë, por në fund të shkurtit Bjellorusia lejoi forcat ruse të sulmonin Ukrainën veriore nga territori bjellorus, dhe në tetor vendosi trupa së bashku me forcat ruse pranë kufirit ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë njoftoi më herët se “në këtë periudhë është planifikuar zhvendosja e pajisjeve dhe personelit ushtarak, si dhe kufizimi i përkohshëm i lëvizjes së qytetarëve në rrugë të caktuara publike”.
Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se ushtrisë bjelloruse i mungon forca dhe përvoja luftarake, por se sulmi i saj eventual në veri të Ukrainës do të ishte një barrë për Kievin, i cili është i fokusuar në luftimin e forcave ruse në juglindje.






