Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bandat kriminale i kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.
Kurti ka paralajmëruar prezencë më të shtuar policore atje, derisa ka thënë se “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron” bandat kriminale.
Sipas Kurtit, këto banda paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Reagimi i plotë:
Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.






