Lokale - eSIMy

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmësi sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, në ditën e parë të vizitës në këtë shtet.

Përmes një njoftimi në Facebook të mërkurën, Abdixhiku nga Departamenti i Shtetit ka shprehur shqetësimin se si institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me SHBA-në. Thekson se koordinimi me SHBA-në është garanci për shtetin e Kosovës që t’i kapërcejë sfidat.

“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane. Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së i bëri thirrje edhe një herë Qeverisë së Kosovës që të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë. Marrëdhëniet mes Qeverisë dhe aleatëve ndërkombëtarë kanë qenë në qendër të kritikave nga partitë opozitare, pasi kryeministri Albin Kurti nuk vendosi për shtyrje të vendimit për riregjestrimin e targave, ashtu siç ishte kërkesa e aleatëve, por vetëm përshkallëzim të sanksioneve.

Ndër të tjera, Abdixhiku ka thënë se Escobarit “i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat”.

“Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku falënderoi SHBA-në për ndihmesën historike dhe aktuale karshi Kosovës.