Nënstacioni i Policisë në Orllan të Podujevës do të mbyllet, raporton Llapi.info.
Kështu ka njoftuar Rexhep Zeka – drejtor ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.
Sipas këtij të fundit, i njëjti nënstacion do të mbyllet pas dy dite – konkretisht më 16 nëntor.
Reagimi i tij i plotë:
Reagim Publik
Ne banoret e Orllanit me fshatrat përreth shprehim shqetësimin tonë lidhur me informatën se me datën 16 nëntor do të mbyllet nënstacioni i Policisë në Orllan.
Ne e dimë që kjo zonë është kryesisht malore dhe gjendet përreth zonës kufitare me Serbinë. Poashtu është zonë mjaft e thellë (largët) nga tereni gjeografik i qytetit të Podujevës si dhe në vazhdimësi është duke u zgjeruar edhe si zonë atraktive për turizëm. Duke pasur parasysh këtë trend të zhvillimit të kësaj zone, rritet edhe nevoja për siguri më të madhe, andaj institucionet shtetërorë do duhej të ndërtonin një strategji më efektive të sigurisë publike.
Por fatkeqësisht me këtë informatë që kemi, po ndodh e kundërta. Me shumë te drejt ne banoret e këtyre fshatrave jemi te shqetësuar për vendimin e lartpërmendur duke e ditur se stacioni më i afërt i policisë së rendit do të mbetet 22 kilometra larg fshatit Orllan dhe rreth 27 kilometra do ta kenë larg fshatrat tjera siç janë Berveniku, Brain etj.
Me qellim ose pa qellim, me vetëdije ose pa vetëdije këto nëntëmbëdhjetë fshatra po behën vende potencialisht te pa sigurta për banoret e tyre.
Ne, këtë shqetësim e kemi nda përmes email-it edhe me vendimmarrësit dhe institucionet e sigurisë:
Zyrën e Kryeministrit
Ministrinë e Punëve të Brendshme
Drejtorinë e Policisë së Kosovës
Komisionin për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës
I apelojmë të gjitha institucionet që të ndërmarrin masa në këtë drejtim dhe mos të zbatohet vendimi për largimin e nënstacionit policor në Orllan.






