Lokale - eSIMy

Kuvendi komunal i Podujevës pas disa mbledhjeve të ndërprera dje ka vazhduar mbledhjen e rregullt, ku janë miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Në mbledhjen e kuvendit komunal ishte e pranishme nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, anëtarë të ekzekutivit dhe asamblistë të kuvendit komunal. Kryesuesi Hilmi Hoxha në fillim të seancës i njoftoi asamblistët e LDK-së, që mosrealzimi i pagesës për muajin e kaluar do të bëhet gjatë këtij muaji.

Kryesuesi Hoxha, pasi hapi seancën për të vazhduar punimet me pikat e rendit të ditës, asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Adnan Zymeri, kërkoi që kuvendi të ripërsëris pikat që ishin miratuar mbledhjen e mbajtur më 03.11.2022, ku kryesuesi i njoftoi që mbledhja do të vazhdohet nga pika e 6 e rendi të ditës, dhe nuk do të ketë përsëritje nga pikat e punuara nga mbledhja e kaluar.

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të pakënaqur me mos përfilljen e kërkesës së tyre, lëshuan sallën e mbledhjes së kuvendit.

Pas një pauze disa orëshe punimet e kuvendit vazhduan dhe u punua sipas rendit të ditës me asamblistët pjesëmarrës.
Në mbledhjen e mbajtur më 03.11.2022, janë miratuar Procesverbali nga mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa, e mbajtur më 28 shtator 2022, Propozim Rregullorja për Taksa Tarifa dhe Gjoba Komunale, Raporti Financiar i Komunës për periudhën janar- shtator 2022, Propozim vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve në Qytetin e Podujevës.

Ndërsa, Propozim vendimet për: Mbrojten e Vlerës së Natyrës: “Ushton Lumi” në Popovë – Komuna e Podujevës, si Peisazh i Mbrojtur (arsyeshmëria profesionale e MMPHI- AMMK/ IKMN) -Mbrojtjen e Vlerës së Natyrës: “Trungu i Qarrit” (Quercus cerris) në Fshatin Lupç i Poshtëm –Komuna e Podujevës, si Monument i Natyrës (Eloborat i profesionale – MMPHI – AMMK/ IKMN), i prezantoi drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leutrim Krasniqi, e cila me përkrahje të anëtarëve u miratua.

Propozim vendimi për formimin e komisionit për koordinimin e procesit të zgjedhjes së Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane në territorin e Komunës së Podujevës u prezantua nga drejtoresha e drejtorisë së Administratës, Antoneta Ejupi, ku me propozimet e anëtarëve të kuvendit anëtarë të komisionit u zgjodhën; Ardi Hasani (LVV), Drita Pajaziti (LVV), Mimoza Avdullahu (PDK), Burim Hasani (AAK), nga anëtarët e ekzekutivit Antoneta Ejupi dhe nga shoqëria civile Bleona Rama. Komisioni i përbërë nga 6 anëtarët e propozuar vihet në votim nga kryesuesi Hoxha, dhe si e tillë miratohet.

Kryesuesi Hilmi Hoxha prezantoi Propozim vendimin për formimin e komisionit ad-hoc për hartimin e draft Planit të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2023, ku me propozimet e anëtarëve të kuvendit, anëtarë u zgjodhën; Fitim Muçolli (LVV), Endritë Murati (PDK), Arbnor Fazliu (AAK), Hilmi Hoxha (PDK), dhe nga anëtarët e ekzekutivit; Antoneta Ejupi, Fatlum Osmani dhe Avni Fetahu, propozimet u përkrahën njëzëri nga asamblistët.

Plotësim ndryshimi i përbërjes së Komitetit për Politikë dhe Financa (pas dhënies së dorëheqjes të anëtares së Komitetit, respektivisht anëtares së Kuvendit Adelinë Stublla), si dhe pas dorëheqjes së Haki Rudari për shkak të angazhimeve të reja, plotësimi i përbërjes u bë me Drita Pajaziti dhe Florent Hasani.

Ndërsa Ndryshim plotësimet e vendimeve që i referohen nismës dhe autorizimit për vendosjen e bashkëpunimit komunal ndërkombëtar me Qytetin Ames të shtetit të IOWA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e prezantoi drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, ku njëzëri u mbështet nga anëtarët e kuvendit dhe si e tillë u miratua.

Në fund të mbledhjes, shefi i grupit parlamentar i LVV, Haki Rudari, propozoi që gjatë këtij muaji anëtarët e kuvendit komunal të Podujevës të bëjnë një vizitë studimore në Shqipëri për festën kombëtare të 28 nëntorit, vizitë në institucionet shtetërore. Ky propozim gjeti mbështetje nga anëtarët e kuvendit dhe u miratua./Llapi.info