Rasti i rëndë i dhunimit të një të moshuare nga personeli i Qendrës për të Moshuar në Pejë shokoi mbarë opinionin publik gjatë ditës së djeshme.
Dhëndri i të moshuarës, Erzen Vala ka treguar se familjarët e kanë marrë vesh vetëm ditën e djeshme, pasi video u postua në rrjetet sociale. Ai shton se e moshuara ishte vendosur në këtë qendër pasi u mendua për trajtim më të mirë, teksa e moshuara ishte e diagnostifikuar me sëmundjen e alzheimer.
“Familjarët e morën vesh nga videoja e publikuar. Menjëherë kemi shkuar në qendrën e të moshuarve dhe kemi biseduar me drejtuesit. Ka qenë shokuese, gruaja dhe unë kemi qenë në orarin e punës dhe jemi shokuar. Jemi nisur menjëherë për te qendra në Pejë.
Ne e kemi vendosur aty për të pasur një kujdes të veçantë si një e moshuar, e diagnostifikuar me alzheimer. Kjo ishte e vetmja zgjidhje për familjarët. Qendra thuhej se i përmbushte të gjitha standardet për kujdesin ndaj saj dhe menduam për më mirë. Ajo kishte një vit në qendër. Nuk e kemi dalluar sepse sëmundja nuk na lejonte që ta kuptonim, të merrnim informacione.
Në pamundësi për t’u kujdesur nga oraret e gjata të punës, njëri djalë është vrarë gjatë luftës, djali tjetër është në Greqi, gruaja është në punë me orar të gjatë, kur ka qenë në Gjakovë në shtëpi kishim marrë dy kujdestare por duke menduar gjendjen e saj familjarët menduan se kjo e gjitha do ishte zgjidhje më e mirë. Tani është në shtëpinë tonë, është me infermiere. Ajo nuk e njeh vajzën e saj, mbesën, nipin. Nuk ka qenë në gjendje të na japë asnjë informacion përveç paraqitjes fizike. Nuk ka dëmtim fizik. Ka bërë vizitë mjekësore pasi pritet të dalë raporti i autoriteteve”- deklaroi ai. për Top News.






