Lokale - eSIMy

Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të mosmarrëveshjeve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara, kërcënime e sulme fizike, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në qytetin e Prishtinës, ku dy persona dyshohet se kanë eskaluar në kërcënime ndaj një shoferi kamioni.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar 47-vjeçari, i cili ka deklaruar se teksa po lëvizte me kamionin e tij, shoferi i një veture e kishte akuzuar se e ia ka goditur automjetin me kamion. Viktima ia ka bërë me dije të dyshuarit se nuk e ka vërejtur një gjë të tillë, mirëpo është shprehur i gatshëm t’ia paguajë borxhin e dëmit.

Por në këtë situatë nuk kishte gjetur mirëkuptim i dyshuari, i cili kishte dalë nga vetura duke e kërcënuar me fjalë dhe ndërkohë ka nxjerrë edhe armën e zjarrit, të cilën e kishte drejtuar kah viktima.

Përballë kësaj situate, 47-vjeçari është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.

Policia ka arritur që të identifikojë të dyshuarit dhe të njëjtit janë arrestuar. Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, por nuk kanë mundur që ta gjejnë armën në fjalë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit të hetohen nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës’.