Në varrezat e fshatit Shtedim të Podujevës, sot i është dhënë lamtumira e fundit Adnan Halimit, i cili vdiq në një aksident mbrëmë në kilometrin e parë të magjistrales Merdar – Podujevë.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë familjarë, shokë e shumë qytetarë të tjerë. Në po këtë vend, familja Halimi nga Shtedim ka falur gjakun e Adnanit.
Imami Idriz Bilalli ka thënë se pikërisht kjo familje, sipas tij, kishte humbur edhe një person kësisoj.
“Prindërve të Adnanit sot ju ka përtri edhe një pikëllim se para edhe 8 viteve edhe Elhamin e keni përcjellë kësisoj, mirëpo jeta tek është e tillë me sfida, andaj në këto momente të lutemi me për familjen me u forcua sepse ju ka përtri dhimta. të lutemi bashkë te Zoti që familjes t’i jep sabër, durim në veçanti nënës edhe babës edhe gjyshit edhe gjyshes, vëllezërve e motrave edhe që të gjithë neve”, ka thënë ai, raporton 24.
Më tej, imami i xhamisë së qytetit ka bërë thirrje tek të rinjtë që të kenë kujdes të shtuar në trafik.
Rasti për këtë aksident fatal është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Rr. Nacionale Prishtinë-Merdare,26.10.2022-21:43. Ka ndodh një aksident trafiku me fatalitet ku të përfshira kanë qenë tri automjete dhe një biçiklist. Si pasojë e aksidentit, nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë drejtuesi i biçikletës mashkull kosovar. Njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e sotëm të PK-së./Llapi.info






