Nuk ka shtyrje të afatit për konvertimin e targave në RKS, bëri të ditur kryeministri kosovar, Albin Kurti. Mu për këtë gjë u pyet presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundi tha se “serbët s’do ta dëgjojnë Kurtin, por veten dhe ndërgjegjen e tyre”, raportoi mediumi i afërt me qeverinë serbe “Novosti”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Nuk mund të presim reagim nga shtetet e QUINT’it”, tha Vuçiç, duke shtuar se pesë shtetet vetëm se do të thonë që “kemi kërkuar të shtyhet afati, por Kurti ishte kundër kësaj”.
“Kohë të vështira i presin popullin tonë, dhe do të ishte çmenduri të parashikojmë ndonjë gjë tani”, tha presidenti serb, derisa shtoi edhe se “do të jemi me popullin serb”.
Shtyrje dhjetë-mujore të afatit ka kërkuar zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, si dhe Bashkimi Evropian i është bashkëngjitur në këtë kërkesë.
Megjithatë, kryeministri Kurti ka pohuar se afati i fundit është 31 tetori.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti.
Kryeministri tha se fushata e frikësimit e Beogradit ka bërë që shumë serbë të mos i konvertojnë targat në RKS.






