Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar shpenzime për vitin 2021 në shifrën 1 milion e 178 mijë e 784 euro.Ndërsa donacione ka deklaruar zero euro, sipas Raportit financiar të pa audituar, të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot.
Sipas Raportit, LDK ka deklaruar të hyra nga buxheti 285 mijë e 457 euro. Sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike, në kuadër të KQZ-së funksionon Fondi për mbështetjen e partive politike, i cili financohet nga Buxheti i Kosovës. Ky Fond, sipas Ligjit, nuk guxon të marrë më shumë se 0.17% të Buxhetit të Kosovës.Ndërsa partitë financohen nga ky Fond, në bazë të numrit të ulëseve të siguruar në Kuvend.
Tutje, LDK-ja sipas Raportit, ka deklaruar ‘Të hyrat e fushatës’ shifrën prej 298 mijë e 34 euro. Kurse gjithsej të hyra për vitin 2021, partia e Lumir Abdixhikut ka deklaruar 583 mijë e 492 euro.Ndërsa tek shpenzimet, sipas Raportit, LDK-ja ka deklaruar ‘paga dhe kompenzimet’ 255 mijë e 809 euro; shpenzimet e transportit 18 mijë e 763 euro; reklamat, reprezentacioni dhe konferencat 18 mijë e 128 euro; shpenzimet e fushatës 751 mijë e 694 euro; blerja e mallrave 20 mijë e 145 euro; shpenzimet e përgjithshme 66 mijë e 262 euro; shpenzimet e ndryshme ka deklaruar 47 mijë e 978 euro.
Në total, shpenzimet e LDK-së për vitin 2021 sipas Raportit janë 1 milion e 178 mijë e 784 euro, apo 595 mijë e 292 euro më shumë se sa të hyrat e deklaruara.







