Dëshmitari Flakron Bucolli gjatë dhënies së dëshmisë së tij para trupit gjykues, deklaroi se halla e tij e kishte thirrë në telefon prindin e tij dhe kishte treguar se policia po e kërkon djalin e axhës së tij, tani të akuzuarin Ruzhdi Hasani.
Këtë deklarim, dëshmitari Bucolli e bëri në seancën e së enjtes, në rastin ku Ruzhdi Hasani po ngarkohet se në nëntor të 2020-ës kishte kryer grabitje me armë në barnatoren “USA-D” në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Dulina Hamiti e pyeti dëshmitarin Bucolli se a ishte takuar atë natë me të akuzuarin Hasani. Për këtë, dëshmitari Bucolli tha se rreth orës 19:00 ose 19:30, kishte ardhë i akuzuari në shtëpinë e tij.
I njëjti shtoi se kur i akuzuari Hasani kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit, kishte vërejtë se ishte i shqetësuar pak dhe se kishte dhimbje dhëmbi.
Dëshmitari tha se i akuzuari kishte pasur të veshura tuta ngjyrë hiri dhe atlete.
Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ali Latifi pyeti dëshmitarin se çfarë kishte mbathur (dëshmitari) kur kishte shkuar policia, për çka tha se i kishte atletet e të akuzuarit Hasani, të cilat i kishte mbathur ose i mbathi pasi erdhi policia, ngase i duhej të dilte shpejt.
I pyetur se si ndodhi që atletet e të akuzuarit të ishin në këmbët e dëshmitarit, ky i fundit sqaroi se i kishte mbathur ato sepse i kishte përpara, duke thënë se nuk i ka shikuar fare se çfarë ishte duke mbathur.
“Kur ka ardhë policia, veç kom dalë ma shpejt, s’kam këqyrë çka po mbathi”, tha dëshmitari Bucolli.
Tutje, ai tha se i akuzuari Hasani kishte dalë nga shtëpia e tyre, me të kuptuar se po e kërkojnë policia, kishte mbathur papuçet e tij “Adidas” dhe se kishte shkuar në shtëpinë e tij.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, dëshmitari Bucolli deklaroi se atë kohë i akuzuari Hasani kishte flokët e shkurtra apo si tullac, ashtu siç i mban shumicën e kohës.
Për shkak se munguan dëshmitaret/të dëmtuarat Fjolla Kamerolli dhe Drilona Atashi si dhe prokurorja Hamiti kishte një seancë paraburgimi, seanca e sotme u ndërpre.
Gjykatësja Hasaj-Hyseni tha se dëshmitarja/ e dëmtuara Fjolla Kamerolli do të shoqërohet me forcë për seancën tjetër, pasi që e njëjta nuk e ka arsyetuar mungesën e saj, për seancën e së enjtes.
Ndërkaq për dëshmitaren/ të dëmtuarën Drilona Atashi, tha se e njëjta do të dërgohet ftesë të rregullt për seancën e radhës, sepse në ftesën e dërguar është konstatuar se adresa e saj nuk është e plotë.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 29 nëntor 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Hasani për veprën penale “Grabitja” dhe e kishte dënuar me 4 vite burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, ndërsa ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje.
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte parashtruar prokuroria dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ali Latifi.
Sipas Gjykatës së Apelit, nga dëshmitë e dëshmitarëve nuk ka mundur të vërtetohet se ishte i akuzuari ai që kishte grabitur barnatoren dhe nga provat e administruara, sipas Apelit gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë përfundimet e saj pa eliminuar kundërthëniet e provave kontradiktore dhe vërtetuar faktet konkrete.
Andaj, Apeli kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ruzhdi Hasani, po akuzohet se më 27 nëntor 2020, rreth orës 20:00, në barnatoren “USA-D”, e cila gjendet në Prishtinë, në rrugën “Holger Petersen”, i maskuar me maskë dhe kapele në kokë, nën kërcënimin e revoles, ka grabitur para në vlerë prej 550 euro, nga punonjësit e barnatores, të dëmtuarat Fjolla Kamerolli dhe Drilona Atashi.
Me këtë, Hasani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”.
Po ashtu, Hasani po akuzohet se në të njëjtën ditë dhe kohë ka mbajtur në pronësi armën e tipit të panjohur, me të cilën thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.






