Lokale - eSIMy

Pas publikimit të pamjeve nga Gazeta Sinjali të rrahjes brutale në Pejë Policia dhe Prokuroria janë aktivizuar. Katër persona të dyshuar janë arrestuar, si të dyshuar për sulmin ndaj një 18-vjeçari. Tre prej tyre janë të mitur, ndërsa njëri 19-vjeçar.

Ndërkohë për rastin ka rrëfyer edhe Ali Qerkinaj, i cili ka treguar rrëfimin e dhimbshëm për rrahjen e djalit të tij. Qerkinaj, tha se gjithçka kishte nisur nga një rrokje me krah teksa përfundoi me rrahje brutale.

Ai, mes tjerash, tregon se në gjykatë djali ua kishte falur këtë rast, por se është shumë i nervozuar që tash i kanë publikuar videon e rrahjes.

“Djali im është sulmuar para 1 jave nga persona të panjohur. Sipas informacioneve që m’i ka dhënë djali ka pasur shtyrje me krahë dhe aty ka nisur fjalosja dhe incidenti pastaj aty për aty”.

“Pas 3-4 ditë e kanë thirre djalin në Gjykatë në Pejë, por i kam bo ‘rixhe’ djalit që t’jua falë edhe djali ja ka falë rastin në Gjykatë. por, pas disa ditë e kanë postuar videon e rrahjes në Facebook, dhe kjo ka qenë shumë turp e nënçmim”.

“Ne menduam ta mbyllim rastin që e gjithë kjo ngjarje të mos bëhet më e madhe, pasi as dy djemtë e tjerë që jetojnë jashtë Kosovës nuk e dinë që vëllai i tyre i vogël është sulmuar”, thotë ai.