Lokale - eSIMy

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në komunë, sigurinë në shkolla, gjendjen e pyjeve, sigurinë në komunikacion dhe trajtimin e qenëve endacak, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, komandanti i Stacionit Policor, Nijazi Jashari raportoi për gjitha rastet e veprave të ndryshme të raportuara në polici gjatë muajve të fundit si dhe statistikat e periudhës janar – shtator.

Ndërsa sa i përket veprave penale gjatë kesaj periudhe janë regjistruar 712, ku si incidente janë të regjistruara 240, 35 raste të aksidenteve me lëndime, 191 me dëme materiale, 52 raste me persona të lënduar, 825 raste të realizimit të urdhëresave, tiketa të shqiptuara 7117 ndërsa raste të vjedhjeve janë 140 raste.

Përfaqësuesja e KFOR-it gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile, si dhe gjithashtu ka ritheksuar gatishmërinë e KFOR-it në ruajtjen dhe sigurinë publike. Edhe Përfaqësuesi i FSK-së, gjithashtu theksoi që gjendja e sigurisë është stabile.

Drejtori i drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, dha informatë për gjendjen në arsim, ku pavarësisht vonesës së fillimit të vitit shkollor për shkak të grevës tani procesi mësimor është duke shkuar mirë konform planit.

Drejtori Fetahu theksoi shqetësimin për transportin e fëmijëve, ku për shkak të rritjes së cmimeve të derivative, komuna është në proces të zgjidhjes së këtij problemi me prindërit e nxënësëve.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Rudari dha informatën për gjendjen e pyjeve, ku theksoi që pylltarët janë çdo ditë në teren me zyrtarët e policisë për ruajtjen e pyjeve.
Drejtori i drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi njëherit edhe udhëheqesi i mbledhjes së sotme të KKSB-së, dha informatën për sigurinë në komunikacion dhe trajtimin e qenëve endacakë.

Me kërkesen e anëtarëve te KKSB-së, meqenëse drejtoria përkatëse ka në dëgjim draft rregulloren për Planin e Mobiltetit të qëndrushëm Urban deri më 5 nëntor, u propozua që të mbahet një debat me anëtarët e KKSB-së, në mënyrë që draf rregullorja të pasurohet dhe të evitohen rreziqet e komunikacionit. Debati me anëtarët e KKSB-së për draft rregulloren e Planit të Mobiltetit u caktua me 26 tetor në orën 17./Llapi.info