Më shumë se 700 vepra penale kanë ndodhur për periudhën janar – shtator në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info.
Kështu është thënë sot në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Në këtë mbledhje është deklaruar se gjendja e sigurisë në Podujevë po vazhdon të jetë e qetë dhe stabile.
Gjatë kësaj periudhe kohore, komandanti i Stacionit Policor në këtë komunë, Nijazi Jashari ka thënë se në këtë rajon kanë ndodhur 226 aksidente.
“Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, komandanti i Stacionit Policor, Nijazi Jashari raportoi për gjitha rastet e veprave të ndryshme të raportuara në polici gjatë muajve të fundit si dhe statistikat e periudhës janar – shtator. Ndërsa sa i përket veprave penale gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 712, ku si incidente janë të regjistruara 240, 35 raste të aksidenteve me lëndime, 191 me dëme materiale, 52 raste me persona të lënduar, 825 raste të realizimit të urdhëresave, 7117 tiketa të shqiptuara, ndërsa raste të vjedhjeve janë 140 raste”, thuhet në një komunikatë e komunës.
Tutje në komunikatë thuhet se përfaqësuesja e KFOR-it, gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile. Të njëjtën gjë e ka vlerësuar edhe përfaqësuesi i FSK-SË.
Ndërsa, drejtori i drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, dha informatë për gjendjen në arsim, ku pavarësisht vonesës së fillimit të vitit shkollor për shkak të grevës, tani procesi mësimor është duke shkuar mirë konform planit. Drejtori Fetahu theksoi shqetësimin për transportin e fëmijëve, ku për shkak të rritjes së çmimeve të derivative, komuna është në proces të zgjidhjes së këtij problemi me prindërit e nxënëseve”.
Për gjendjen e pyjeve dhe sigurinë në komunikacion, sipas komunikatës, kanë raportuar drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Rudari dhe drejtori i drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi.






