Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një debat të mbrëmshëm, ndër temat e tjera ka folur edhe lidhur me objektin në Lagjen Ulpiana që e shfrytëzon Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke i dërguar një “paralajmërim” kësaj të fundit.
Si afat për këtë, ai ka përmendur vitin 2023.
“Selia e partisë [AAK-së] që e shfrytëzon objektin e Ministrisë së Bujqësisë, është në kontratë. Ka qenë prej mas luftës aty edhe e ka një kontratë të nënshkruar në vitin 2018, që i skadon në vitin 2023”.
“Në vitin 2023 shohim e bëjmë”, tha Peci në RTV Dukagjini.
Peci deklaroi se me 2 euro për metër katrorë nuk do të mund të shfrytëzohet objekti, që sipas tij i takon dikasterit që ai e drejton.
“Po du me ju thanë me 2 euro nuk ka me qëndru më për metrin katror në Ulpianë. Qata po du më ju thanë sot prej studios televizive. Edhe po besoj që organet e rendit e ndjekjes kanë me qartësu se kush janë ata individ që kanë tjetërsu banesa dhe kanë hy në objektet dhe hapësirat e Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Peci mbrëmë.
Peci edhe ditë më parë foli për këtë çështje, duke thënë se “në zemër të Prishtinës, në Ulpianë është zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë”.
“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi”
“Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje!”, tha Peci ditë më parë.






