Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që të hiqet TVSH-ja për produktet elementare ushqimore.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50% në njëzet muajt e fundit.
Sipas tij, çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot.
“Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend. Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit”, ka thënë ai.
Sipas tij, heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë.






