Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se busti i veprimtarit Adem Demaçi do të vendoset në qendër të këtij qyteti, shkruan Llapi.info.
Kështu ka njoftuar vetë Bulliqi në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
Me kënaqësi pranova të marrë pjesë në manifestimin letrar, të organizuar nga shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës” Dega në Podujevë e mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport për nder të ikonës dhe veprimtarit të madh kombëtar, Adem Demaçi.
Baca Adem përveçse veprimtar i paepur i çështjes kombëtare, ishte edhe gazetar, poet e letrar me stil të veçantë të të shkruarit. Ai ishte krejtësisht origjinal e autentik në mendimet e qëndrimet e tij. E sot ne u mbledhëm për të evokuar kujtime nga shkrimet e tij.
Para të pranishmëve në Teatrin “Avdush Hasani” ndava lajmin se vitin e ardhshëm do ta bëjmë ndërtimin e bustit të bacës Adem në qendër të qytetit në Podujevë.
Me vendosjen e bustit të Adem Demaçit në Podujevë ne nderojmë veprimtarinë dhe sakrificën e tij, si dhe lartësojmë historinë e lavdishme të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë. Baca Adem është shembulli më i mirë i atdhedashurisë e sakrificës për popullin e tij, ai do të mbetet gjithmonë frymëzim për brezat e ri se si luftohet dhe sakrifikohet për atdheun.
Lavdi përjetë e mot jetës dhe veprës së Adem Demaçit!






