Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste që kanë ndodhur dje dhe pardje në Podujevë, shkruan Llapi.info.
Sipas raporteve zyrtare të Policisë së Kosovës, dërguar mediave, gjatë këtyre dy ditëve në këtë komunë kanë ndodhur disa raste.
Një i tillë është regjistruar në rrugën “Abdyl Lahu”. Atje, një i mitur, pas një zënke verbale të çastit, ka sulmuar një të mitur tjetër, duke e goditur atë me një mjet të fort.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore, për çka, të njëjtit, i është dashur t’i ofrohet tretman mjekësor, raporton Llapi.info.
Përkitazi me këtë, policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin, i cili është dërguar në mbajtje, me vendim të prokurorit.
E, dy raste të tjera kanë të bëjnë me kërcënime. Njëri ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në fshatin Dumosh.
Siç ka thënë Policia e Kosovës, një person ka kanosur një tjetër me një mjet të mprehtë (thikë). I dyshuari është arrestuar nga zyrtarët policorë, ndërkohë që i njëjti është dërguar në mbajtje.
Llapi.info mëson se kërcënimi është bërë ndaj një trajneri të klubit futbollisitik, KF Llapi.
Kurse, një tjetër rast i kanosjes është regjistruar të shtunën. Një person ka kanosur dy zyrtarë policorë, derisa të njëjtit kishin qenë duke u marr me një rast të aksidentit në trafik, në të cilin aksident, ishte përfshirë edhe vajza e të dyshuarit për kanosje.
I dyshuari, fillimisht ishte arrestuar, por që më pas është liruar në procedurë të rregullt, ka thënë Policia e Kosovës./Llapi.info






