Lokale - eSIMy

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se rritja ekonomike prej 4.9 për qind, për të cilën tha Kryeministri Kurti ditë më parë, “i është referuar Agjencisë Kosovare të Statistikave vetëm për tre mujorin e parë të vitit 2022”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në një postim në Facebook, Kryeziu thotë se deklarata e Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 është 3.7 për qind, siç shkruan zëdhënësi i Qeverisë “i përket projeksionit të rritjes ekonomike për gjithë vitin 2022”.

Tutje, Kryeziu ka shkruar “Nuk ka përgënjeshtrim. Ka rritje ekonomike”.

Postimi i plotë i Kryeziut:

Reagim ndaj lajmit me titull, “BQK përgënjeshtron Kurtin e Muratin: Nuk pati rritje ekonomike 4.9 për qind”

Një deklarim i guvernatorit të BQK-së në komisionin parlamentar për Buxhet dhe Finance po përdoret sot pasaktësisht si kinse përgënjeshtrim i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati.

Kryeministri Kurti në deklarimet e tij, e së fundmi në postimin me rastin e shënimit të 18-mujorit të Qeverisë, i është referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave për 3 mujorin e parë të vitit 2022, sipas së cilave rritja ekonomike për tre muajt e parë të vitit është 4.9%. Citati nga postimi i kryeministrit: “Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”.

Ndërkaq, në raportimin e guvernatorit në këtë komision, ai i thotë se projeksionet e BQK-së janë se rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë 3.7%.

Pra, guvernatori flet për projeksionin e rritjes ekonomike për gjithë vitin 2022 sipas projeksioneve të BQK-së, ndërkaq kryeministri Kurti ka folur për shifrat reale të rritjes në 3 mujorin e parë të vitit 2022. Nuk ka përgënjeshtrim. Ka rritje ekonomike.