Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk e ka vazhduar “trendin e rritjes ekonomike”.
Hoti ka lavdëruar qeverisjen e tij duke thënë se përkundër krizës për shkak të pandemisë, në qeverisjen e tij e kanë kthyer trendin pozitiv të rritjes ekonomike në muajt e parë të vitit 2021.
Por ai ka thënë se me Qeverinë Kurti trendi i rritjes ekonomike është në rënie.
“Në qeverinë e udhëhequr nga unë, kemi punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë. E kthyem trendin pozitiv që në muajt e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës. Qeveria është mbyllur plotësisht ndaj bizneseve. Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike”, ka thënë Hoti në shkrimin në Facebook.
Ai ka publikuar edhe një grafikon të rritjes së Bruto Prodhimit Vendor në periudha tremujore që nga tremujori i parë i vitit 2021 deri në tremujorin e dytë sivjet. Sipas grafikonit, trendi i rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2021 ishte 16.32 për qind, duke pasur trend rënës në 2.14 në tremujorin e dytë të vitit 2022.






