Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se seanca e së enjtes duhet të nisë me grevën e përgjithshme.
Ai tha se nxënësve po iu shkaktohet një dëm i madh, për shkak të humbjes së mijëra orëve të mësimit.
“I bëjmë thirrje urgjentisht Kurtit dhe ministres së Arsimit të ulen dhe të gjejnë zgjidhje me sindikatat. Kjo është situatë e papranueshme, nuk duhet të vazhdojë edhe më tutje. Të mos ketë nevojë fare të vazhdohet me debatin për grevat. Nëse vazhdon deri të enjten, do të vazhdojmë me këtë pikë. Për seancën e re, edhe po të kishte kuorum, nuk është se ka material tjetër për ta thirrur një seancë”, tha Tahiri.
Ai tha tutje se Qeveria Kurti është në një gjendje kome.
“Qeveria është në një gjendje kome, është e pabesueshme të futemi në sesioni vjeshtor dhe ne të mos kemi propozime e draftligje të reja nga Qeveria”, tha Tahiri.
Kurse për deklaratat e Kurtit rreth luftës, Tahiri tha se “kjo është vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme”.






