Lokale - eSIMy

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka mbyllur për publikun seancën e së enjtes ndaj Baki Shkodriqit dhe Besnik Shkodrës, të cilët po akuzohen për vrasjen e rëndë që kishte ndodhur në shkurt të 2019-ës, në Prishtinë.

Pas fillimit të marrjes në pyetje të të akuzuarit Besnik Shkodra, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti tha se në pajtim me nenin 294 mbyllet seanca e sotme dhe përjashtohet publiku, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kjo për arsye të mbrojtjes së integritetit të palës së dëmtuar dhe ndjeshmërisë së rastit.

Paraprakisht, pala e dëmtuar dhe përfaqësuesja me autorizim zëvendësues, avokatja Arbenita Aliu-Turkaj propozuan mbylljen e kësaj seance, e që kjo nuk u kundërshtua nga prokurorja Fitore Sadikaj dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatit Skender Musa dhe avokates Sadije Mjekiqi.

Po ashtu, gjykatësi Shyti ndaloi publikimin e deklarimeve të bëra në këtë seancë nga ana e të akuzuarit Shkodra.

‘‘Paralajmërohen personat e pranishëm që detyrohen ta ruajnë fshehtësinë e informatave të cilat i kanë mësuar në shqyrtim gjyqësor dhe se zbulimi i informatës së tillë përbën vepër penale’’, tha ai.

Ndërkaq në fillim të seancës avokatja Aliu-Turkaj deklaroi se heqin dorë nga dëgjimi i dëshmitarit që kanë dashur ta propozojnë, pasi që avokati i palës së dëmtuar, Jeton Osmani nuk ka arritur të sigurojë adresën e të njëjtit.

Për këtë çështje, më 14 korrik 2022 është bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes pas propozimit të aprovuar nga trupi gjykues me 1 qershor 2022 të mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Shkodra, avokatit Skender Musa.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.